NJERËZIT E MIRË

Njerëzit e mirë,
lodhen dëshpërohen
por asnjëri s'e kupton,
Pse kur kanë nevojë
më së tepërmi të flasin
fuqia e zërit i tradhëton.
Kanë nevojë të qajnë
po sytë veç u përvëlojnë,
Qetësinë e ruajnë me buzëqeshjet
që si me zor i mbulojnë.
Njerëzit e mirë,
kanë nevojë për miq të drejtë
e pa reshtur kërkojnë,
Zhgënjehen, sforcohen
por nuk ndalojnë,
Duke qenë të drejtë vetë
vazhdojnë e shpresojnë.
Dhe jo, me atë lloj shprese
që e kanë dëgjuar t'u kenë
thënë se vdes e fundit,
Sa të mjerë...
Njerëzit e mirë e dijnë
se shpresa nuk vdes asnjëherë!
Janë të veçantë
se vetëm mirësi dhurojnë,
Duke mos pritur t'u kthehet pas
kështu mësojnë edhe të durojnë.
Duke e pasur drejtësinë
më të madhen sfidë,
Sado që durimi t'u jetë sosur
e sado nga kjo botë të jenë lodhur,
Ata e dijnë se për njerëzit,
Vdekja është drejtësia më e përsosur!
picture taken from: moodygrams

Comments