Hënë, sa ngjajmë

 

Të pa edhe hëna ty
Kur sytë dot s'po ia shqisje
Kur të mjaftonte nuri i saj,
E me heshtje i flisje.
Të pa edhe hëna
Kur shtriheshe në angështi,
Atë e shihje të plotë
E në vete ndjeje zbrazëti.
Hëna të pa edhe atëherë
Kur ti as nuk e vëreje,
Sytë të qeshnin me tjera gjëra
Dhe kur me pak ngazëlleje.

Dhe kur fazat e tua
Me të sajat nuk përkonin,
Hëna të pa se
Ishin veç të sajat që të mrekullonin.

A nuk je edhe ti një hënë?!
Ndonjëherë s'dukesh,
Herë tjera shëndrritë...
Ndonjëherë në të 14-ën,
Herë tjera në të 29-ën ditë...
Kur mbulohet me dritë s'ngopesh
Kur dritë nuk ka, ti e di se është aty,
Kështu je ti
Dhe hëna mrekullohet nga ty!
Ke edhe ti shkëlqimin e pasosur,
Ke edhe ti hijet e tua,
Hëna e pa të veçantën tek ti
Pa sa ngjani, dhe u mrekullua.


Picture taken from: Flakon Zharku 

Comments