Njerëzit vrasin më shumë

Ma tha ai,
Plaku që rrinte poshtë lagjes
Çdo ditë me cigare në dorë,
S'e ndante të shkretën nga vetja
Nga një të re për çdo orë.
Kisha dhjetëra pyetje t'i bëja
Nga një të re për secilën ditë
Sepse në rrudhat e fytyrës së tij
Sikur fshiheshin tërë dhembshuritë...
Dhe në mëngjesin e hershëm
Pas një shëtitjeje të lodhshme ulem pranë tij
Në stolin ku ulej gjithnjë,
Nga aq shumë pyetje që kisha për të
Në atë çast më erdhi vetëm një.
Ç'e shtynte të tymoste kaq shumë,
Ta vriste kohën në atë mënyrë?
Madje ta bënte para të gjithve
Sikur e kishte për detyrë.
Njerëzit e bëjnë këtë,
Të shtyjnë të përpish diçka të hidhur,
Jo vetëm këtë gjë të vogël mes gishtash
Por një jetë të tërë, fliste ai me zë të dridhur.
Të shtyjnë drejt jetës së gënjeshtërt
Brenda së cilës duan që ti të biesh,
Dhe sado fort që përpiqesh
Vie një çast që dot nuk ngrihesh,
Bëjnë sikur u dhimbsesh
Pastaj të lënë, bëhen lloj hijesh.
Ata edhe të besosh të bëjnë,
Por në një vete të përulur
Të mbulojnë me hijen e tyre
Që të kenë kohë vetë për t'u mburrur.
Të vjedhin kohën më të mirë
Kur ëndrrat e tua sapo kanë lindur
Dhe me të vërtetë janë të prirur
T'i shuajnë ato pa u rritur.
-Për disa njerëz bëhet vonë tha,
Krejt çka mund të bësh është t'i falësh,
Ata që më së paku e meritojnë
Ata që s'kanë guxim falje të kërkojnë
Dhe durimin ta lakmojnë.
Krejt çka mund të bësh është të lutesh
Për mendje, se njerëzit vuajnë për të,
Dhe të ulesh kështu para syve të tyre
E të bëhesh sikur s'ka ndodhur asgjë.
Krejt çka mund të bësh është t'u tregosh
Atyre që një copë shprese ende e fshehin,
Që ta ruajnë e ta ujisin vetë
Për atë që e ndriçon,
Se njerëzit atë veç e zbehin...
Po ky tym që të vret akoma
Si pa vetëdije i thash unë,
Më shikoi disi mes lotësh lumë
-Ndonjëherë njerëzit vrasin më shumë.

Originally written on 3rd of May 2017
Picture taken from pinterest

Comments